ITALI – Orban sulmon BE dhe PPE

ROMË, 4 shkurt /ATSH-AFP/- Kryeministri hungarez Viktor Orban nisi sot në Romë një sulm të ri ndaj BE-së dhe partisë kryesore politike në Parlamentin Europian, PPE, anëtar i së cilës është, edhe pse tashmë i pezulluar.

“Ne kemi vështirësi me BE-në dhe këto vështirësi lindin nga një qasje e ndryshme për mënyrën e ndërtimit të Europës”, tha ai në Romë, në përfundim të një konference të ekstremit të djathtë europian .

“Ekzistojnë dy qasje. E para është që ne do të donim ta ndërtonim Europën duke filluar nga poshtë, që do të thotë një lloj bashkëpunimi mes kombeve. Koncepti tjetër është të ndërtojmë Europën duke filluar nga lart, me një qasje federale që nuk u pëlqen shteteve sovrane”, vazhdoi Orban.

PPE ka vendosur të zgjasë pezullimin e Fidesz, partisë së kryeministrit hungarez Viktor Orban, sipas burimeve nga Brukseli.

Sidoqoftë, dialogu vazhdon dhe burime pranë PPE-së saktësojnë se nuk do të ketë asnjë vendim për këtë çështje të paktën deri në kongresin tjetër.

“PPE sapo vendosi të zgjasë pezullimin e Fideszit”, njoftoi në Tëitter nënkryetari i Partisë Popullore Europiane, Siegfried Muresan.

“Marrëdhëniet në të ardhmen do të varen plotësisht nga zhvillimet në Hungari. Askush nuk mund të bëni kompromise me vlerat europiane dhe PPE-në”, shtoi ai.

”PPE nuk ka marrë ende një pozicion mbi dëbimin e Fidesz nga familja politike dhe mund të vendosë që të shtyjë vendimin për një datë të mëvonshme’’, deklaroi Donald Tusk./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.