ANKARA, 31 janar /ATSH-AFP/- Presidenti Recep Tayyip Erdogan dënoi sot mizorinë e regjimit sirian kundrejt popullit të vet, duke e kërcënuar se do të përdorë sërish forcën ushtarake në Siri, ku forcat besnike të regjimit po përparojnë në bastionet e fundit rebele të Idlibit.
“Ne nuk e tolerojmë mizorinë e regjimit kundër popullit të vet dhe sulmet e tij, që po shkaktojnë gjakderdhje të madhe dhe kërcënojnë vendin tonë me një valë të re migrantësh”, deklaroi Erdogan, në një fjalim para zyrtarëve të partisë së tij, në Ankara.
“Ne, Turqia, duam sinqerisht stabilitetin e Sirisë dhe sigurinë për njerëzit e saj dhe nuk do të ngurojmë të bëjmë gjënë e duhur, përfshirë përdorimin e forcës ushtarake”, shtoi ai.
Forcat e qeverisë siriane rimorën të mërkurën qytetin strategjik Maaret al-Noomane, i dyti më i madh në provincën Idlib dhe po përparojnë për të rimarrë rajonin, i mbizotëruar nga xhihadistët e Hayat Tahrir al-Cham, ish-dega siriane e Al-Kaedës.
Turqia paralajmëroi të martën se do t’i kundërpërgjigjej çdo sulmi ndaj posteve të saj të vëzhgimit në provincën Idlib./ /ervo/ a.jor.












