Ballina Aktualitet

Programi i rindërtimit nuk do të cenojë ekonominë

TIRANË, 30 janar/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot në Kuvend se programi i rindërtimit nuk do të cenojë ekonominë.

Gjatë diskutimit në Kuvend të aktit normativ për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e vitit 2019, Gjylameti tha se “viti që lamë pas nuk ishte aspak i lehtë, me dy tërmete brenda një periudhe tepër të shkurtër, ndërsa ishte edhe një vit zgjedhor ku klima politike nuk ishte edhe aq favorizuese dhe bashkëpunuese”.

“Gjithsesi, pavarësisht këtyre faktorëve, ekonomia shqiptare në terma të përgjithshëm performoi mirë duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe duke vijuar rendin e rritjes ekonomike që kemi pasur vitet e fundit”, – tha ajo.

Gjylameti tha se ndryshimet në aktin normativ synojnë të rialokojnë shpenzimet midis zërave e institucioneve buxhetore, për të siguruar burimet për dhënien e shpërblimit të pensionistëve në fund të vitit, mbështetjen sociale ndaj shtresave në nevojë, si dhe realizimin sa më optimal të planit nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

“Falë performimit të mirë të gjithë institucioneve shtetërore, këto ndryshime nuk prekin parametrat kryesorë makroekonomikë, të parashikuar në fillim të vitit, për të vijuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe nga ana tjetër nuk do të ketë ndryshime
në të ardhurat dhe shpenzimet e përgjithshme të buxhetit”, – tha ajo.

Gjylameti tha se pavarësisht situatës me të cilën ne u përballëm, deficiti buxhetor mbetet në nivelin e parashikuar në fillim të vitit dhe borxhi publik të mbetet në të njëjtin nivel me atë të parashikuar në fillim të viti.

Duke folur për programin e rindërtimit, Gjylameti tha se “do ta konsideroja si një nga operacionet më të mëdha të rindërtimit në këto 30 vite, ku brenda një kohe të shpejtë synohet sistemimi i familjeve në banesat e reja”.

“Për fat të mirë, i gjithë ky plan rindërtimi nuk do të cenojë ekonominë. Është për t’u vlerësuar se dhe këto ndryshime buxhetore ruajnë të pandryshuar treguesit kryesorë
makroekonomikë, të parashikuar në fillim të vitit, duke vijuar qëndrueshmërinë e financave
publike”, – tha ajo.

Gjylameti renditi po ashtu edhe disa nga rialokimet që bëhen në kuadër të këtij akti normativ.

Ajo tha se përmes këtij akti krijohet fondi i nevojshëm për dhënien e shpërblimit të pensionistëve në fund të vitit. Përfitues ishin rreth 663 227 qytetarë, nga të cilët: mbi 530 364 pensionistë në pension pleqërie; 67 754 në pension invaliditeti; 49 849 janë në pension familjar; dhe mbi 13 260 persona të tjerë në trajtim financiar me pension social, pension apo trajtim të veçantë financiar si minatorë të nëntokës, punonjës të ish – ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakë në pension të parakohshëm. Ky fond është parashikuar të përballohet nga reduktimi i shpenzimeve kapitale me 1.59 milionë lekë, si dhe nga buxheti i ISSH-së me 400 milionë lekë.

Ndërkaq, Gjylameti tha se përmes këtij akti bëhen disa rialokime midis zërave të shpenzimeve buxhetore, pa ndryshuar totalin e tyre, për të siguruar:

– Shtesën me 70 milionë lekë të shpenzimeve për bonusin e lindjeve, për shkak të rritjes së
numrit të lindjeve.

– Shtesën me 300 milionë lekë të shpenzimeve për skemën e ndihmës ekonomike dhe
paaftësisë së kufizuar, për pagesën e invaliditetit të kategorisë së invalidëve që nuk
plotësojnë kriteret për marrjen e pensionit të invaliditetit.

– Shtesën me 235 milionë lekë të shpenzimeve për fondin rezervë të buxhetit të shtetit, për
të krijuar rezervën e nevojshme pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019.

– Shtesën me 12.8 milionë lekë të shpenzimeve për subvencionimin e kredive të strehimit,
për të përballuar nevojat shtesë pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019. Kjo shtesë mbulohet
nga kursimet, në të njëjtën masë, të investimeve të brendshme në programin e strehimit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShtyrja e ligjit antishpifje/ Meta: Përshëndes vendimin pozitiv dhe të përgjegjshëm të Kuvendit
Artikulli tjetërITALI – Dyshimi për raste koronavirusi bllokon anijen me 6 000 pasagjerë