“Hebrenjtë në Republikën e Vlerave”, forum në kujtim të viktimave të Holokaustit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit, u zhvillua sot në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës forumi “Hebrenjtë në Republikën e Vlerave”.

Forumi, bashkëpunim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universitetit “Fan S. Noli” dhe Institutit Shqiptar të Sociologjisë, u drejtua nga prof. as. dr. Irena Nikaj, Presidente e Shoqatës Sociologjike Shqiptare (ALBSA).

Akademia e Shkencave u përfaqësua nga Sekretari Shkencor i saj, akad. as. Shaban Sinani. Libri i tij, “Albanians and Jews” (Shqiptarët dhe hebrenjtë; Prania dhe shpëtimi) ishte baza mbi të cilin u ideua dhe ndërtua aktiviteti.

Akad. as. Sinani referoi me temën “Pranimi i hebrenjve në Shqipëri: Periudha mbretërore – 1928-1939”, duke trajtuar shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri përgjatë periudhës së Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore, që prej fillimeve historike të pranisë hebraike në tokën shqiptare e deri në përfundim të luftës.

Referimi, i pasur me dokumente dhe fotografi, ndalet në periudha kyçe si: politikat e Mbretit Zog për pranimin e hebrenjve dhe arsyet e kësaj, projektet ndërkombëtare të viteve ’30 si me SHBA apo Lidhjen e Kombeve, ideja e “palestinizimit” të Shqipërisë, apo dhe situata në periudhën e pushtimit nazist.

Akad. as. Sinani e përmbylli referimin me disa sugjerime për nisma të mëtejshme, mjaft të rëndësishme për t’u ndërmarrë, siç është përfshirja në programet mësimore e temës së shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, ndërkombëtarizimi i kësaj problematike, botimi i arkivave të Herman Bernstein (Ambasador i SHBA në Shqipëri), por dhe kryerja e studimeve pasuniversitare në këtë fushë.

Vetëm përmes trajtimit të vazhdueshëm dhe moslënies në harresë, mund të përkujtohen siç duhet viktimat e Holokaustit dhe roli i rëndësishëm që Shqipëria luajti në historinë e shek. XX. /k.s/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.