TIRANË, 11 janar /ATSH/ – Revolucioni digjital i shërbimeve publike mundëson aplikimin online përmes https://e-albania.al/ për të përfituar 24 lloje shërbime nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Ky revolucion gjithashtu bënë të mundur që nga 151 dokumente shoqëruese për këto 24 aplikime që donin ditë të tëra për tu mbledhur nga sot duhet të dorëzoni 49 të tillë.
Kryeministri Edi Rama përmes një video informuese bën të ditur se tashmë me këtë revolucion digjital 40 mijë qytetarëve të moshuar në vit u lehtësohet ndjeshëm marrëdhënia me shtetin dhe gjithashtu i kursen atyre 415 ditë në vit pritje në radhë për përfitim pensioni.
Gjithashtu Kryeministri Edi Rama shprehet se tashmë qytetarëve të moshuar do t’i sigurohen nga vetë administrata e ISSH 102 lloje dokumentacionesh që më parë duhet t’i siguronin vet duke shkuar sportel më sportel.
“40 mijë qytetarëve të moshuar në vit u lehtësohet ndjeshëm marrëdhënia me shtetin.
102 lloje dokumentacionesh që deri dje duhet t’i siguronin vetë sportel më sportel, sot i siguron vetë administrata e ISSH për llogari të tyre”, shprehet Rama.
Kryeministri Rama gjithashtu thekson se tashmë pensionin e pleqërisë e përfitoni duke aplikuar online me vetëm 3 dokumente nga 14 që kërkoheshin dikur. Ndërsa shton se për rishqyrtim pensioni duhen 8 dokumente nga 18 që kërkoheshin dikur.
“Për pension pleqërie më parë nevojiteshin 14 dokumente që duhet t’i mblidhte vetë personi i interesuar, ndërsa sot vetëm 3. Rishqyrtimi i pensionit më parë kërkonte 18 dokumente. Sot vetëm 8 “, theksoi Rama.






















