TIRANË, 9 janar /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta ka bërë fajtore politikën në lidhje me raportin e agjencisë “Fitch” ku për vitin 2019 Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve.
“Dua të shpreh shqetësimin për raportin e agjencisë prestigjioze ndërkombëtare Fitch për vitin 2019, sipas së cilës Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve, nga niveli 59.8, në 53.5”. Pa u ndalur sot në shqetësimet që kanë të bëjnë me faktorët ekonomikë dhe financiarë, dua të tërheq vëmendjen ndaj aktorëve politikë, që faktori kryesor i këtij përkeqësimi është kriza e rëndë politike në vend”, shprehet ai.
Presidenti Meta apelon për dialog mes forcave politike, si nevojë e integrimit të vendit në BE.
“Ndaj duhet urgjentisht vendosja e dialogut politik dhe bashkëpunimit për adresimin e menjëhershëm dhe të besueshëm të kushteve të Bundestagut. Përndryshe, jo vetëm çelja e negociatave me Bashkimin Europian pamundësohet, por vendi ynë do humbasë më shumë besueshmërinë e investitorëve të huaj seriozë”, thekson ai.






















