TOKIO, 7 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri japonez, Shinzo Abe do të zhvillojë një vizitë në Gji javën e ardhshme, konfirmoi sot një zëdhënës i partisë së tij, ndërkohë që rajoni është shumë i tensionuar që prej vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani nga SHBA-ja.
“Abe do të jetë atje nga 12 deri më 15 janar”, deklaroi një zëdhënës i Partisë liberal-demokrate (LDP). Ai do të shkojë në Arabinë Saudite, në Oman si dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kryeministri japonez shprehu dje shqetësimin e thellë për zhvillimin e situatës në Lindjen e Mesme gjatë një takimi me zyrtarët e LDP, sipas stacionit televiziv publik NHK.
“Shpresoj të kontribuoj në paqen dhe stabilitetin në rajon nga përpjekjet diplomatike për të qetësuar tensionet”, sipas deklaratave të cituara nga NHK.
Japonia është një prej aleatëve më të mirë të SHBA-së, por ka gjithashtu marrëdhënie të mira me Iranin që prej dekadash./ /ec/ a.jor.












