TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Në kuadër të planit të masave kundër ushtrimit të lojërave të fatit të palejuara dhe shitjes së lëndëve narkotike, Policia e Shkodrës arrestoi në flagrancë 1 shtetas, ndërsa ndiqet në gjendje të lirë një tjetër.
Nga informacioni i marrë në rrugë operative u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. L., 20 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Forcat policore kanë ushtruar kontroll në ambientet e një bar-kafeje në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, ku është gjetur një qese me Cannabis Sativa, me peshë 93 gr. dhe një peshore elektronike, për të cilën është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur, si dhe u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë veprimeve të mëtejshme, shtetasit K. G., 25 vjeç, banues në Shkodër, i është gjetur në aparatin e tij celular një faqe web-i, e dyshuar si faqe sportive për lloto. Ky shtetas po ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
/m.m/























