TIRANË, 27 dhjetor/ATSH-A. Fortuzi/-. Zlatan Ibrahimovic është zyrtarisht lojtar i “Milanit”.
Sulmuesi suedez, pas eksperiencës në Amerikë te “Los Angelos Galaxy” do të riveshë fanellën kuqezi, me të cilën fitoi edhe titullin kampion në Itali në vitin 2011. “Ibracadabra” ka firmosur kontratën e tij për gjashtë muaj në vazhdim me thuajse 3,5 milionë euro dhe mundësi rinovimi edhe për një tjetër sezon me rrogë 5 milionë euro.
Fjalët e para të sulmuesit 38-vjeçar kanë konfirmuar ambicien e tij “Po kthehem te klubi që respektoj jashtëzakonisht dhe te një qytet që e dua. Do të luftoj me shokët e skuadrës për të ndryshuar ecurinë e këtij sezoni dhe do të bëj çmos për të arritur objektivat”.
Tratativa për kalimin e Ibrahimoviç te “Milan” mbeti e bllokuar për disa javë, por humbja e kuqezinjëve 5-0 në Bergamo ndaj “Atalantës” nxiti drejtuesit e “Milanit” të rritnin ofertën, duke bindur përfundimisht suedezin të firmos me kuqezinjtë. /a.a/























