Ballina Aktualitet

Shengeni ballkanik, Mesi: Përfitime për të gjitha vendet e rajonit

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Shengeni Ballkanik është një iniciativë e hershme e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, që shkon në vija paralele me procesin e Berlinit, ku vetë Bashkimi Europian ka nxitur shtetet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg rajonal më atraktiv edhe për investimet e huaja”, tha sot deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi.

E ftuar në një studio televizive, Mesi tha se “marrëveshja për Shengenin Ballkanik është në interes të të gjitha vendeve të rajonit”.

“Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike do të ketë ngadalësim ndaj duhet që tregu i Ballkanit Perëndimor të shihet pa asnjë barrierë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”, tha Mesi.

Nga ana ekonomike, sipas saj, “do të ketë përfitime për të gjitha shtetet”. “Unë do e shihja në përfitimin që ka vetë Shqipëria, qytetarët, dhe biznesi i Shqipërisë. Vuçiç tha se ka 500 mijë kamionë që qarkullojnë në Ballkan. Nga llogaritjet e mia del se janë 153 mijë kamionë që qarkullojnë nga vendi ynë drejt vendeve të rajonit. Kjo është një tregti që ndodh tani, dhe është një gjë pozitive nëse liderët e Ballkanit ulen në tryezë për të lehtësuar këtë tregti që ndodh tashmë, si procedurat, dokumentacioni i unifikuar, për ta njohur edhe online”, tha Mesi.

Ajo theksoi se “janë kosto më pak, pritje më pak, korrupsion më i vogël, kontrabandë pothuajse zero, janë shërbime dhe produkte që konsumatori shqiptar i merr më lirë dhe më shpejt”.

Lidhur me Kosovën, Mesi tha se “ulja në tryezën e Samitit të Shengenit Ballkanik, që në takimin e tretë iu bashkua edhe Mali i Zi, përveç Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nuk do të thotë se pretendimet e Kosovës për njohjen e pavarësisë nga Serbia, nuk qëndrojnë.

“Ne duket sikur duam të jetojmë ende me fantazmat e së shkuarës, që na pengojë të bëjmë iniciativa për të ardhmen. I mirëkuptoj autoritetet e Kosovës kur kanë kushtin që Serbia duhet t’i njohë si shtet i pavarur. Por në të njëjtën kohë një marrëveshje e tillë nuk pengon asnjë nga vendet të jetë pjesë e tryezës”, tha Mesi. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDixhitalizim për të gjitha dokumentet e komunitetit ortodoks dhe hebre në Shqipëri
Artikulli tjetërIRAN – Mbyllen shkollat për shkak të ndotjes