Dixhitalizim për të gjitha dokumentet e komunitetit ortodoks dhe hebre në Shqipëri

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me dy komunitete fetare, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe Rabinatin e Shqipërisë për kryerjen e procesit të dixhitalizimit të fondeve arkivore dhe të çdo materiali tjetër që është krijuar nga dy komunitetet, që ruhen në AQSH.

Në marrëveshjen e parë të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido dhe përfaqësuesi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë Episkop Asti. Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve për dixhitalizimin e dokumenteve arkivore të Komunitetit Ortodoks dhe institucioneve të tij që ndodhen në AQSH.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave informoi përfaqësuesit e KOASH mbi marrëveshjet e tjera me komunitetet fetare. Përmes kësaj marrëveshjeje, përmbyllet dixhitalizimi i fondeve arkivore të të katër komuniteteve fetare në Shqipëri. Hirësi Asti vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për të dy institucionet.

“Marrëveshja me Kishën Ortodokse që nënshkrova bashkarisht me Hirësi Astin pak ditë përpara Krishtlindjeve përbën përmbylljen e dixhitalizimit të fondeve arkivore të të katër komuniteteve fetare në Shqipëri, teksa ka përfunduar dixhitalizimin e dokumentacionit të komuniteteve myslimane e bektashie, si dhe po kryhet paralelisht me KOASH dhe ajo i komunitetit katolik”, theksoi Bido.

Ndërkaq, Rabinati shqiptar u përfaqësua nga kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan. Marrëveshja parashikon dixhitalizimin e të gjithë fondit arkivor të personave dhe organizmave të hebrenjve në Arkivin Qendror Shtetëror, me kostot e Rabinatit, si dhe do të bashkëveprojnë për botimin e katalogjeve të referencave arkivore mbi hebrenjtë në Shqipëri.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido vlerësoi marrëveshjen si tentativën e radhës për të bërë publike në të gjithë botën historinë krenare të kombit shqiptar në shpëtim të hebrenjve.

Ai theksoi se “kjo marrëveshje do të mundësojë edhe një platformë elektronike për ta përbotësuar këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e dy kombeve”.

Kryerabini Yoel Kaplan vlerësoi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe theksoi se marrëveshja me DPA do t’i japë një hov të ri kërkimit shkencor mbi këtë moment të rëndësishëm historik. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.