Ballina Flash

Erëra të forta në bregdet/ Drejtoria Detare apelon marrjen e masave nga mjetet lundruese

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme Detare i bëri apel sot subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, pasi në datat 20-23 dhjetor moti do të përkeqësohet.

“Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug me shpejtësi deri në 38 nyje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla bufort. Moti i përkeqësuar do të shtrihet në gjithë bregdetin tonë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Pritet që deri në mesnatën e ditës së dielë era dhe deti të kenë të njëjtin intensitet duke përfshirë gjithë bregdetin shqiptar.

“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”,  shprehet Drejtoria e Përgjithshme Detare. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump përmend një marrëveshje tregtare me Kinën
Artikulli tjetërFotogaleri/ “Ti nuk do jesh kurrë vetëm”, koncert solidariteti për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti