Situata pas tërmetit/ Xhafaj: 6 pallate për t’u shembur në Laç, u strehuan 1373 qytetarë në qarkun Lezhë

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ – I deleguari i Komitetit Ndërministror për Emergjencat në qarkun Lezhë, Etjen Xhafaj gjatë komunikimit publik pasqyroi situatën e pas tërmetit në Qarkun Lezhë ku deklaroi se ka filluar shembja e pallatit nr 133 Laç e do të vijohet dhe me shembjen e 6 pallateve të tjera.

Xhafaj tha se, “po punohet gjithashtu dhe me grupet e vlerësimit, për të vlerësuar dëmet e 48 pallateve të tjera dhe për të vlerësuar nëse ka mundësi për ndërhyrje strukturore në to, apo edhe do të duhet të rindërtohen”.

“Deri më sot, në shkallë qarku janë ngritur 365 çadra, në të cilat janë strehuar 1373 qytetarë”, u shpreh Xhafaj.

Ai i bëri gjithashtu thirrje të gjitha familjeve që kanë ende nevojë për çadra të paraqesin kërkesat e tyre pranë bashkive të Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës, apo pranë Qendrës Operacionale te Emergjencave, në Milot.

Xhafaj theksoi se, “deri tani kanë aplikuar për bonuset e qirave 541 familje, nga të cilat 181 në bashkinë Lezhë dhe 318 ne bashkinë Kurbin. Bashkia Kurbin ka marrë një vendim për të kaluar një listë me 120 nga këto bonuse qiraje dhe sot më vonë do të takohet edhe Këshilli Bashkiak i bashkisë Lezhë për të miratuar 160 kërkesa”.

Xhafaj gjithashtu tha se të gjithë qytetarët që kanë nevojë për strehim të vazhdojnë përgatitjet e aplikimeve për bonusin e qirave në mënyrë që t’i marrin sa më shpejt.

“Përsërisim edhe njëherë lutjen tonë për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për strehim që të vazhdojnë me përpilimin dhe përgatitjen e aplikimeve të tyre për bonus qiraje në mënyrë që t’i kalojmë në mënyrë sa më të shpejt”, tha Xhafaj.

“Në ditët e shkuara ka ndodhur edhe një kontroll total i të gjithë ashensorëve, ku janë inspektuar nga Inspektoriati i Tregut 362 ashensorë apo njësi pajisjesh dhe janë marrë masat përkatëse dhe është komunikuar me të gjithë strukturat e mirëmbajtjes për të ndërhyrë aty ku ka qenë e nevojshme”, përfundoi ai. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.