Ballina Flash

Mjekët, heronjtë e heshtur të Shqipërisë pranë të lënduarve të tërmetit

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/- Mjekët janë heronjtë e heshtur të Shqipërisë çdo ditë, por sidomos në ato më vështirat. Të tillë ishin edhe mjekët e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, të cilët me punën e tyre heroike u kujdesën për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

I gjithë stafi mjekësor dhe infermieror me përkushtimin dhe profesionalizmin treguan gjatë këtyre ditëve në shërbim të të lënduarve nga tërmeti se janë heronj të vërtetë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, publikoi sot një video me rrëfimet e mjekëve të Spitalit Universitar të Traumës, për punën e bërë prej tyre në ditët e vështira të pas tërmetit.

Mjeku Eduard Rama, në spitali universitar i Traumës, shprehet se “pasi ndaloi lëkundja e tërmetit urgjentisht u nisëm për në spital sepse e dinim që këtu do të kishte raste të paparashikuara”.

Mjekja Suela Gjeçi tha se “impakti i parë në urgjencë ishte një kaos total , pra kishte vetëm njerëz që vinin të traumatizuar e të trembur”.

Prof. ass Arben Zenelaj thekson se “u arrit që në një kohë shumë të shkurtër të përshtatej infrastruktura me rrethanat që na erdhën. Ne prej kohësh kishim krijuar atë që quhet në gjuhën tonë mjekësore korridori sanitar”.

Ndërsa Dr.Vrenoz Hodaj shprehet se “brenda 2 orëve të para janë paraqitur një numër mjaft i konsiderueshëm . Nëse në ditën e parë janë paraqitur 350 të dëmtuar që morën ndihmën mjekësore në urgjencën tonë, brenda 2 orëve të para kanë qenë 200. Por kapacitetet e zgjeruara në çaste dhe hapësirat që ne përdorëm na krijuan lehtësira që të fokusoheshim tek ata që ishin sëmurë rëndë”./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Një tërmet 4,5 ballë Rihter godet Toskanën
Artikulli tjetërPlatforma e re e sistemit bankar/ Rigjallërim kreditimit dhe ulje të kredive me probleme