Shtyhet afati për dorëzimin e inventarit analitik për tatimpaguesit

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Për shkak të situatës së krijuar pas tërmetit të datës 26 nëntor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije shtyrjen e afatit për dorëzimin e inventarit analitik për në datën 10 janar 2020.

Bazuar në ligjin “Për Procedurat Tatimore”, tatimpaguesit duhet të depozitojnë inventarin analitik të datës 31 dhjetor.

Inventari duhet të përmbajë informacione në lidhje me lëndën e parë, produktet e gatshme, mallrat për rishitje, të detajuara në njësi, sasi çmim dhe vlerë.

Ky informacion duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “çështjet e mia”, brenda datës 10 janar 2020.

Tatimpaguesi mund të bëhet objekt i kontrollit në vend, për saktësinë e këtij inventari.
Administrata Tatimore nxit tatimpaguesit të përmbushin me korrektesë këtë detyrim ligjor brenda afateve e të shmangin penalitetet./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.