Çdo provë në ndërtesat e prishura e fotografuar, po bëhen gati dosjet

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se çdo provë në ndërtesat e prishura është marrë dhe dosjet po bëhen gati.

“Kush e tha këtu? Më duket Naltmadhnia. Që po fshihen provat. Po pastrohen gërmadhat dhe i duket sikur po fshihen provat. E keni gabim. Është fotografuar menjëherë sapo ka ndodhur, gjatë procesit dhe mbrapa. Janë fotografuar edhe betoni dhe gërmadhat dhe po bëhen dosjet gati”, – tha Rama.

“Në vend që ditët e para deri të pestë t’i kthenin sallonet në studio me energji pozitive të qetësonin njerëzit të bënin verifikimet e pseudoekspertëve të thoshin fjalë të mençura, jo budallallëqe, u futën në garë se kush nxjerr më shumë delirantë. Dhe donin arrestime që ditën parë. Donin faturën që ditën e dytë. Donin dhe shtëpi ditën e parë. Ndërsa fqinjët tanë kanë akoma në kabina njerëzit e tërmetit të 2009-ës. Në shumë prej vendeve që po na ndihmojnë presin dëmshpërblime nga histori të viteve më parë. Ndërsa këta, pa varrosur akoma të vdekurit duan arrestime, dëmshpërblime, shtëpi. Ngaqë i kanë marrë gjërat qyl në jetë për vete”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “edhe ato godina që janë për riparim, jo vetëm ato të shemburat, janë në proces hetimi. Që nga ora e parë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka angazhuar grupin e policisë kriminale për të mbledhur prova. Po merren dosje nga bashkitë përkatëse. Duhen dhe ekspertët e ndërtimit brenda. Ekspertët janë në terren ditë e natë”.

Kryeministri u shpreh se, “viti 2020 e shohim si viti i rindërtimit dhe vazhdimit të zhvillimit ekonomik dhe social. Do ta bëjmë kështu dhe do dëshmojmë që vepra  jonë është e duhura. Që ata që kanë nevojë për mbështetje të marrin mbështetje. Ata që kanë nevojë për strehë, të marrin strehën”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.