Rindërtimi pas tërmetit/ Program buxhetor më vete që garanton transparencë

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Programi për Rindërtimin do të financohet si një program buxhetor më vete, një fond buxhetor i transferueshëm dhe dinamik”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Duke marrë fjalën në Kuvend, Rama tha se “aspekti dinamik i fondit është i rëndësishëm sepse shuma e alokuar që do të kalojë qysh sot nga buxheti i shtetit, jo vetëm është e konsiderueshme për të hapur procesin, por garanton që programi i rindërtimit të fillojë të zbatohet në shkallë të gjerë”.

Rama tha se “kjo krijon hapësirë të plotë për të shtuar nga buxheti dhe për të integruar në të donacionet e dedikuara për rindërtimin edhe gjatë vitit 2020, kur do të kryhen disbursimet e donatorëve”.

“Nëse do të duhet angazhimi i mëtejshëm i fondeve buxhetore, në 2020 është parashikuar skenari që në çdo rishikim buxheti kjo të ndodhë. Përfshirja e fondit si një program i posaçëm buxhetor i shërben qëllimit për të vendosur monitorim të plotë mbi institucionet  përgjegjëse për realizimin e programit dhe për disbursimin dhe transformimin e fondeve në vepra apo akte të tjera që kanë lidhje me programin”, tha kryeministri.

Po ashtu duke qenë zë më vete, sipas Ramës, bëhet transparencë e plotë për angazhimin total në favor të rindërtimit, duke ndarë këtë pjesë nga pjesa tjetër e buxhetit. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.