Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit/ Lagje e re në Durrës dhe Laç dhe 3 në Tiranë

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “do të ndërtojmë një lagje të re në Durrës, një në Laç dhe 3 në Tiranë. Dy lagje të rëndësishme nga pikëpamja e volumit një tek lagjia “5 Maji”, një në Kombinat dhe një të tretë më të vogël në ish-Uzinën e Autotraktorëve”.

Në fjalën e tij në Kuvend për buxhetin që akordohet për programin e rindërtimit, kryeministri Rama theksoi se “me Laçin do të fillojmë menjëherë. Besojmë brenda pak kohëve, shpresoj shumë në mars të jemi në kantier. Me lagjen e madhe të Durrësit ka filluar puna për projektimin me lagjen “5 Maji” po ashtu me Kombinatin dhe së shpejti fillojmë projektimin me ish-Uzinën e Autotraktorëve”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “do të adresojmë edhe godinat specifike, në Lezhë apo pika të tjera që përbëjnë rrezikshmëri, po punojmë paralelisht. Do kërkoj edhe kohën e vetë  gjithë projekti i riparimit që do kohë më vete se është njësoj si të ndërtosh një lagje tjetër nga e para, ka shumë godina të dëmtuara që kërkojnë riparim”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.