TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka deklaruar se për shkak të situatës së krijuar nga fatkeqësia natyrore, fushata frymëzuese dhe sensibilizuese “Java e integritetit” do të zhvillohet më 3 shkurt 2020.
“Javën e integritetit”, fushatën frymëzuese dhe sensibilizuese të cilën e punuam me mjaft profesionalizëm, përkushtim dhe vizion, për shkak të situatës së krijuar nga fatkeqësia natyrore, kemi vendosur së bashku me partnerët tanë, ta zhvendosim më 3 shkurt 2020″, shprehet ministrja Gjonaj.
Gjonaj shprehet se ky projekt synon të ndezë të gjitha dritat e integritetit duke e bërë më të fortë luftën e pandalshme kundër korrupsionit.
“Padyshim, ky projekt që synon të ndezë të gjitha dritat e integritetit, do të jetë në vijim edhe më produktiv, edhe më gjithëpërfshirës, edhe më kumbues, duke e bërë më të fortë luftën tonë të pandalshme kundër korrupsionit”, tha Gjonaj. /a.a/j.p/

















