Solidaritet me të prekurit nga tërmeti/ BIK dhuron mbi 300 mijë euro

PRISHTINË, 5 dhjetor/ATSH/ Populli i Kosovës është solidarizuar që ditën e parë të tërmetit të 26 nëntorit për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të prekura. Jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe individë e grupe shoqërore, nga çdo komunë në të katër anët e vendit janë organizuar në mbledhje materialesh të nevojshme dhe mjetesh financiare, duke treguar një solidaritet mbresëlënës.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) njofton opinionin se në aksionin e ndërmarrë, sipas urdhrit të Myftiut Naim Tërnava, që në të gjitha xhamitë e Kosovës, pas namazit të xhumasë, më datë 29.11.2019, të mblidhen ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri, janë mbledhur gjithsej 304.302 euro.

Në ditën kur u ndërmor ky aksion, ditën e premte kur imamët mbajnë ligjëratën e rregullt javore, imamët janë orientuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame që të luten e t’i ndihmojnë motrat e vëllezërit nga Shqipëria në të gjitha format e mundshme, përfshirë edhe nëpërmjet aksionit që po ndërmerrej në xhami./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.