TIRANË, 28 nëntor /ATSH/- Sot në ditën kombëtare së Pavarësisë, shqiptarët janë bërë bashkë dhe janë solidarizuar për të ndihmuar personat e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
“S’ka rëndësi shuma. Ka rëndësi që ti të mos mungosh dhe të solidarizohesh në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti, kësaj dhimbjeje shqiptare”, është ky mesazhi që përcillet nga ambientet e fushës së sportit në Durrës, ku janë ngritur çadrat, për strehimin e banorëve, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti.
Historitë brenda këtyre çadrave, janë po aq të mëdha sa e gjithë Shqipëria edhe dhimbja gjithashtu. Solidariteti shqiptar po tregon se është më i fortë se vetë tërmeti. Në një mënyrë apo tjetër qytetarët kanë dërguar kontribute, por e-albania është adresa për të kontribuar drejtëpërdrejt për familjet e prekura nga tërmeti.
“Kam ardhur këtu menjëherë pasi ra tërmeti. Me ndihmën e fqinjëve kam zbritur bashkëshortin tim që e kam të paralizuar dhe jemi strehuar këtu në çadër, pasi shtëpia ka marrë krisje dhe është dëmtuar nga tërmeti. Nuk ka siguri për të ndenjur brenda tij”- thotë një grua.
Ndërsa një burrë tregon se është strehuar në çadër, nga frika e tërmeteve dhe shtëpia e tij është shembur plotësisht.
Dy gra të tjera tregojnë për ankthin dhe frikën që përjetuar nga lëkundjen e tërmetit. Tani jemi strehuar këtu në çadrat që janë ngritur në fushën e sportit dhe bashkë me ne në çadrat e tjera, janë strehuar edhe të gjithë fqinjët e pallatit tonë.
“Të gjithë ne këtu jemi strehuar menjëherë pas tërmetit. Organizimi ka qënë i shpejtë nga institucionet dhe janë marrë të gjitha masat që të mos na mungojnë ushqimet dhe gjerat e domosdoshme, batanije, dyshek, medikamente etj “- tregon një burrë tjetër.
Ndërkohë në fushën e sportit vijon puna për ngritjen e çadrave të tjera dhe grupet e ndihmës janë pranë çdokujt që është prekur nga tërmeti.
Ti mund të ishe njëri prej tyre. Fati e desh që t’i të jesh në shtëpi në Shqipëri apo gjetkë. Bëj diçka për këta njerëz, në nevojë për ty. Ska rëndësi shuma, ka rëndësi që ti të mos mungosh në apelin e kësaj dhimbje shqiptare. e.xh/j.p/






















