TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka reaguar disa minuta pas deklaratës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila thekson se “SHBA mbështesin çuarjen e çështjes së Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor”.
“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtësi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës”, është shprehur Blushi.
“Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!”, ka theksuar ai.
/gj.mima/ /a.g/






















