Ballina Flash

Manastirliu në Shkodër: Ulen radhët e pritjes për koronarografitë, përfituan mbi 6800 pacientë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Shërbimi i hemodinamikës në spitalin rajonal të Shkodrës ofrohet brenda 24 orëve, duke zeruar radhët e pritjes për këtë shërbim jetik për qytetarët, që sot ofrohet afër vendbanimit.

Gjatë vizitës në spitalin e Shkodrës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se falë bashkëpunimit me shërbimin universitar të QSUT-së, spitali i Shkodrës po mbulon shërbimin e koronarografisë për të gjithë zonën e veriut.

Manastirliu tha se 98% e koronarografive kryhen në spitalet publike. “6835 qytetarë kanë përfituar nga paketat e zemrës në spitalet publike dhe jo publike këtë vit. Rritja e kapaciteteve në spitalet publike me ngritjen e tre qendrave të hemodinamikës në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në Fier dhe Shkodër, ka mundësuar që 98% e këtij shërbimi të ofrohet në spitalet publike”, – tha Manastirliu.

Në rang vendi, radhët e pritjes për shërbimin e koronarografisë janë reduktuar në dy javë, si rezultat i investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për Njësitë e Hemodinamikës, ndërsa ndërhyrjet e kryera janë rritur me 20% në 10-mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Manastirliu deklaroi se me kapacitetet e shtuara, synimi është mbulimi i plotë i paketave të zemrës në spitalet publike./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Vitin e ardhshëm nisin punimet tek Piramida
Artikulli tjetërBuxheti 2020/ Reforma në Drejtësi në fokus, 371 milionë lekë për SPAK