Kroacia, përkrahëse e vendosur e integrimit në BE të rajonit

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ “Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor presin shumë nga Presidencë kroate e Bashkimit Europian e cila nis në 1 janar 2020”, deklaroi Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, e cila u takua me Kryeministrin kroat, Andrej Plenkovi në Zagreb.

“Ne i jemi mirënjohës Kroacisë që është një përkrahëse e vendosur e integrimit në BE të rajonit ”, tha Bregu.

“Deri më tani, implementimi i zonës ekonomike rajonale ka sjellë disa rezultate të prekshme për qytetarët tanë, pasi marrëveshja rajonale për Roaming e arritur në prill të këtij viti tashmë po zbatohet me ulje të ndjeshme të çmimeve, dhe ne duhet të bëjmë më të mirën tonë për ta mbajtur rajonin në këtë rrugë”, tha Bregu.

Prandaj, theksoi ajo, “Samiti i BE i Zagrebit në maj të vitit 2020 mund të jetë një moment ideal për të filluar së bashku udhërrëfyesin e marrëveshjes për roaming-un falas midis BE-së dhe rajonit “, shtoi Bregu duke e veçuar këtë si një nga nismat që mund të fillohen bashkërisht nën Presidencën Kroate, së bashku me promovimin e fuqizimit të grave, fillimit të projektit rinor, etj.

Kryeministri Plenkoviç shprehu mbështetjen e tij të plotë për bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e RCC në këtë drejtim, duke theksuar se organizata ka ndihmuar dhe mund të ndihmojë më tej rajonin në rrugën e saj të BE.

Ai shtoi se nuk ka asnjë magnet tjetër përveç integrimit në BE për të lëvizur rajonin në drejtimin e duhur.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.