TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Së shpejti pritet të vendoset një linjë direkte ajrore Tiranë-Riad.
Kjo u theksua në takimin që Kryeparlamentari Gramoz Ruçi zhvilloi me ambasadorin e Arabisë Saudite, Abdulmomen Sharaf, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis të dy vendeve, i cili është intensifikuar kohët e fundit edhe me vizitën e Kryeministrit Edi Rama në shkurt të këtij viti në Riad, si edhe vizitën e drejtuesve të Fondit të Zhvillimit të Arabisë Saudite në Tiranë.
“Qytetarët shqiptarë do të mirëpresin vendosjen e linjës ajrore direkte midis Tiranës dhe Riadit, e cila do të intensifikojë jo vetëm bashkëpunimin ekonomik, por edhe shkëmbimet e turistëve midis të dy vendeve. Investimet saudite janë të mirëpritura në Shqipëri dhe ne do të përmirësojmë vazhdimisht klimën pozitive për këto investime”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.
Ambasadori Abdulmomen Sharaf falenderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen ndaj marrëdhënieve e bashkëpunimit dypalësh me Arabinë Saudite.
Ambasada e Arabisë Saudite në Tiranë po ndjek dhe nxit rritjen e këtij bashkëpunimi dhe rritjen e nivelit e shpeshtimin e kontakteve të niveli të lartë.
“Linja direkte Tiranë-Riad pritet të vendoset së shpejti, në harkun kohor të dy-tre muajve të ardhshëm. Njëkohësisht, ne po punojmë për tërheqjen e investitorëve sauditë në Tiranë si edhe zbatimin me sukses të marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve”, theksoi ambasadori Abdulmomen Sharaf.
/gj.mima/ /a.g/























