TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ – Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi” vlerësoi këtë fundjavë dy gratë shqiptare Pertefe Leka dhe Floresha Selfo, për kontributin e tyre në fuqizimin dhe integrimin e gruas shqiptare në shoqërinë amerikane.
“Pertefe Leka nëpërmjet studimeve të saj historike dhe letrare ka hedhur dritë rreth historisë së figurave të shquara patriotike të Shqipërisë, ndërsa Floresha Selfo u vlerësua për punën e saj në ngritjen dhe fuqizimin e grave shqiptare në Amerikë,” shprehet ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.
“Urime Zonjës së nderuar të komunitetit tonë, Floresha Selfo, që u nderua nga Organizata AAWO Motrat Qiriazi për rolin e saj për ngritjen dhe fuqizimin e grave shqiptaro-amerikane, për përfshirjen e saj që prej fillimit tek Motrat Qiriazi dhe mbështetjen ndaj grave dhe nënave të komunitetit tonë. Një mirënjohje të veçantë nga AAWO Motrat Qiriazi për Zonjën dhe Nënën e nderuar Znj. Pertefe Leka, për kontributin e shquar në fushën e shkrimeve, historisë dhe arsimit. Hulumtimet historike dhe letrare të Znj. Leka janë shumë të vlefshme, duke hedhur dritë rreth historisë së figurave të shquara patriotike të Shqipërisë dhe interpretimit të saktë të historisë,” shprehet ndër të tjera Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”. /a.sh./ /a.g/


























