Banka e Shqipërisë parashikon rritje të pagave për periudhën në vijim

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Pagat në ekonomi pritet të rriten me ritme më të përshpejtuara vitet në vijim, për shkak të diversifikimit të kërkesës në tregun e punës dhe ankorimit të forcave të punës në pozicione sipas profesioneve.

Banka e Shqipërisë bën të ditur në raportin e politikës monetare se, “vlerësimet tona sugjerojnë se ekonomia po operon në kushtet e një shfrytëzimi më të plotë të kapaciteteve të lira në tregun e punës. Duke mbajtur parasysh kohëvonesën e reagimit të pagave ndaj mbylljes së hendekut të shkallës së papunësisë gjatë tremujorëve më të fundit, në të ardhmen pritet një shtim i presioneve rritëse në paga, duke kontribuuar në kthimin e inflacionit drejt objektivit në periudhën afatmesme”.

Kështu për shembull, rritja mesatare e pagës gjatë periudhës 2015–2019 ka qenë relativisht më e shpejtë në sektorin e shërbimeve, jo vetëm në degë me pagë mbi nivelin mesatar të pagës në ekonomi (“Pasuritë e paluajtshme, aktivitetet profesionale dhe shërbime mbështetëse”), por edhe në degë me pagë nën nivelin mesatar të pagës në ekonomi (“Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor”).

Gjatë viteve 2017 dhe 2018, treguesi i pagës është rritur mesatarisht me 3,0% dhe 3,1%, ndërkohë që në gjysmën e parë të këtij viti rritja vjetore rezultoi më e lartë, rreth 4,7%. Një ndikim në rritje kanë dhënë edhe vendimet për rritjen e pagës minimale në vend, si edhe rritja e pagës mesatare për segmente të caktuara të të punësuarëve në sektorin publik. /e.xh/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.