MIAMI, 15 nëntor /ATSH-AFP/ – Trafiku i drogës me prejardhje ose tranzit nga Venezuela është rritur me 50% që nga fillimi i presidencës së Nicolas Maduro, në vitin 2013, njoftoi sot SHBA, duke akuzuar presidentin se po pasurohet duke bashkëpunuar me krimin e organizuar.
“Maduro dhe gjarpërinjtë e tij po mbushin xhepat e tyre, duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës”, akuzoi admirali Craig Faller, i cili kryeson Komandën e SHBA-së për Amerikën e Jugut.
“Regjimi Maduro ka pasur një ndikim negativ në të gjitha aspektet e sigurisë në këtë hemisferë”, vazhdoi më tej ai.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë Maduro, e cila nuk njihet nga Uashingtoni, se po u ofron azil gueriljeve të Ushtrisë së Çlirimit Kombëtar të Kolumbisë (ELN) dhe ish-anëtarëve të FARC duke mos pranuar marrëveshjet e paqes të vitit 2016.
SHBA po përpiqet të largojë Maduron nga qeverisja dhe ka njohur si president të Venezuelës liderin e opozitës, Juan Guaido./ /ervo/ a.jor.























