TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur intervistimin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas rendit të ditës të publikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kandidati i parë që është ulur përpara anëtarëve të KLP është Kryeprokurorja aktuale e përkohshme, Arta Marku.
Marku ka garantuar se nëse i jepet besimi për mandatin e plotë të Kryeprokurorit, do të ketë kryefjalë të punës së saj sundimin e ligjit dhe efikasitetin në hetim.
“Misioni im është sundimi i ligjit, hetime profesionale dhe me efikasitetin e duhur për rritur shpejtësinë e hetimit. Po ashtu mision është dhe fuqizim i drejtorisë gjyqësore në prokurorinë e përgjithshme pasi aty do jetë puna më e madhe pas funksionimit të dy gjykatave, Kushtetuese dhe e Lartë. Për të bërë të mundur një punë të suksesshme duhet shtuar numri i prokurorëve në prokurorinë e përgjithshme. Forcimi i sektorit të dekriminalizimit që funksionin me 1 prokuror dhe dy oficerë të policisë gjyqësore”.
“Spastrimi i administratës nga personat me probleme, një kompetencë që prokurori i përgjithshëm e ka me ligj. Do rregullohen me udhëzime të përgjithshme fushat e pambuluara. Mendoj që të realizoj një udhëzim për veprimtarinë e policisë gjyqësore. Do ketë forcim të etikës në administratë. Kjo nxit besimin e publikut. Prioritet edhe trajnimet e policisë gjyqësore dhe administratës”, – tha Marku.
Gjatë fjalës së saj Marku ka deklaruar se këto dy vite ka punuar në një terren të vështirë, për shkak edhe të mungesës së hallkave në sistemin e drejtësisë. “Ka qenë një periudhë jo e lehtë, pasi i gjithë sistemi ishte në reformim të thellë. Edhe sot mungon Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ka qenë një terren aspak i lehtë për të punuar. Mungojnë disa nga hallkat e sistemi”, – theksoi Marku.
“Nëse do kthehesha pak në kohë nuk do bëja asgjë ndryshe nisur nga kompetencat e kufizuara që ka tani Prokurori i Përgjithshëm. Askush nuk është i plotfuqishëm. Kam vepruar për një vit në terren pas asnjë institucion dhe pa KLP. Nëse do zgjidhem sfida ime është përmirësimi i terrenit të punës dhe rezultateve rritja e besimit të publikut dhe tregues statistikor të plotë e të saktë. Unë kam një vizion, vizioni im është i bazuar në Kushtetutë e ligj.
Duke folur për historikun e saj, Marku rrëfeu se karrierën e ka nisur në Fier. “Kam nisur fillimisht në Fier e më pas kam kaluar si prokurore në Shkodër. Në një prokurori me vepra penale të larmishme dhe jo e lehtë si punë. Në 2014 në Shkodër task forca e drejtuar nga unë arriti rezultate të njëjta me Tiranën. Në dhjetor 2017 ju përgjigja thirrjes së Kuvendit për prokurore të përgjithshme. Pata kurajo të kandidoj”, – tha ajo.
“Në karrierën time kam hetuar vepra të ndryshme penale. Kam hetuar më gjatë korrupsionin e krimet ekonomike. Kam hetuar vrasje për gjakmarrje e hakmarrje si edhe çështje pranë Krimeve të Rënda. Prej 2004 kam përfaqësuar dhe dy dosje trafiqesh. Kam miratuar udhëzime të detyrueshme në disa fusha problematike. Kam mbështetur publikisht çdo prokuror me dosje sensitive të cilat presim të përfundojnë sa më parë në SPAK. Kam bërë udhëzim për ruajtjen e sekretit hetimor, udhëzim për procedurat e përgjimeve, udhëzim për viktimat e dhunës dhe të miturit”, – vijoi Marku.
E pyetur për takimin në Kryeministri me Kreun e Qeverisë, Edi Rama, Marku tha: “Ishte një takim pune dhe në tryezë kanë qenë dhe drejtues të institucioneve të tjera që lidhen me sigurinë. Janë disa takime me kryeministrin, pasi ai drejton disa komisione ku unë jam pjesë. Ka një grup pune që merret me mënyrën si do përfaqësohet Shqipëria në komitetin Moneyval dhe kryeministri është kryetar i këtij grup pune. Është koordinimi i punës për pastrimin e parave. Pra ka pasur disa takime. Takimi i fundit është bërë në kohën kur opozita ishte në protesta dhe pati disa probleme, ku disa protesta degjeneruan në dhunë. Kjo është arsyeja e takimit me mua dhe disa drejtues të tjerë. Nuk ka qenë një takim raportues, pasi nuk ka një marrëdhënie të tillë mes ekzekutivit dhe prokurorisë. Ka qenë një takim pune për shkak të situatës emergjente që po kalonte vendi”, – tha Marku.
Ajo garantoi se nuk ka lidhje politike. “Hetimi dhe kërkesa për Agim Kajmakun tregon se nuk kam lidhje me politikën, pavarësisht se për çështje sensitive emri im është anatemuar shpeshherë në këtë drejtim”, – tha Marku.
Në garë janë Prokurorja e përkohshme që ka dy vite në detyrë Arta Marku, prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj dhe prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela, të cilët janë zyrtarisht nga KLP si kandidatë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Një ditë më parë Këshilli miratoi metodologjinë që do të përdorin anëtarët për të pikëzuar kandidatët. Në mbledhjen e djeshme KLP vendosi që brenda 10 ditësh emërohen 8 prokurorët e SPAK-ut dhe brenda 14 dhjetorit, Shqipëria do të ketë Kryeprokurorin e ri.
Fatjona Memçaj, kandidatja tjetër për Prokurore të Përgjithshme, ka theksuar gjatë fjalës së saj, se Prokuroria e Përgjithshme duhet të jetë një institucion të besueshëm dhe dinjitoz për partnerët.
“Kam qenë një nga prokurorët e parë të Taskforcës shqiptare për pastrimin e parave, kam drejtuar Drejtorinë Ligjore në Presidencë duke bërë akte ligjore që shërbejnë dhe sot. Si drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe si prokurore në Prokurorinë e Apelit. Jam doktore shkencash, kam eksperiencë disavjeçare, jam përfshirë në mësimdhënie, anëtare bordi të Magjistraturës dhe anëtare e KED”, – tha ajo duke prezantuar veten.
“Në aplikimin tim, kam paraqitur në mënyrë të detajuar politikat që duhen ndiqen për implementim e procedurave më të mira, sipas ndryshimeve që burojnë nga Reforma në Drejtësi. Në në thelb, Prokuroria duhet të jetë në mbrojtje të shtetit të së drejtës, zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë individët, me prokuror me integritet. Pra, qëllimi është të kemi një drejtësi të barabartë për qytetarët. Unë gjykoj se në këtë prizëm, Prokuroria shqiptare duhet kthehet në një partner serioz dhe me dinjitet në krah të prokurorive partnere”, – theksoi Memçaj.
“Jo më pak e rëndësishëm është fakti se Prokurori i Përgjithshëm tashmë nuk ka më rol si më parë, ka një rol më të kufizuar. Ai sot paraqitet si një menaxher që duhet të dijë të përdori me efikasitet resurset njerëzore dhe buxhetore, duhet Implementojë jo vetëm legjislacionin, por të siguroi se zbatimi i tij do realizohet në frymë dhe gërmë. Prokurori i Përgjithshëm është figura që institucionalisht parashtron te Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqetësimet që kanë prokurorët. Është figura që institucionalisht që bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e tjera brenda vendit, si Kuvendit e Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, por dhe me institucionet homologe jashtë vendit”, – theksoi Memçaj.
Ajo duke iu përgjigjur anëtarëve të KLP tha se “Prokurori i Përgjithshëm duhet të ketë lidership, aftësinë për të marrë përgjegjësi. Duhet të ketë aftësi për të demonstruar se ushtron funksionin e tij me integritet, në krijimin e një fryme bashkëpunimi. Sot Prokurori i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë, KLP ka kompetencë emërimi dhe shkarkimi, prandaj Prokurori i Përgjithshëm tashmë ka si funksion të mbështesë shqetësimet e prokurorëve, zbatimin e ligjit dhe kujdesi për implementimin e të gjitha procedurave dhe mekanizmave që vijnë nga implementimi i Reformës në Drejtësi”, – theksoi Memçaj.
Olsian Çela, kandidat për Prokuror të Përgjithshëm, tha se ka depozituar platformën e tij, që mban në thelb një plan strategjik për një Prokurori me vlera europaine.
“Vlerësoj zhvillimin e seancës me praninë e mediave dhe kjo tregon se përbën një interes të madh qoftë për mediat ashtu edhe opinion publik ndaj do të doja ta parashtroja para jush dhe medias pasi mendoj se eshte thelbësore që edhe elementët e opinionit publik të kenë të qartë vizionin e kandidatit të Prokurorit të Përgjithshëm 7 vitet e ardhshme!”-, u shpreh Çela
“Aspirata ime është një Prokurori bashkëkohore me vlerat më të mira europiane. Ka ardhur koha ti jepet jetë një organi prokurorie sipas standardeve më të mira Europiane. Prokuroria do mbështet në parimin e decentralizimi dhe pavarësia hetimore, në kuadër dhe të detyrimeve që vijnë nga Reforma në Drejtësi”, – tha Çela.
“Prokuroria e Përgjithshme duhet të ndryshojë në një strukturë dinamike bashkëpunuese dhe ndërvepruese, e aftë të prodhojë ide për partnerët vendas dhe të huaj. Hapi i parë është ristrukturimi i pjesshëm i saj dhe të fokusohet në monitorimin e shkeljeve të ndryshme të etikës profesionale, sigurimin e aksesit të publikut dhe komunikim permanent me median”, – tha Çela.
“Hartimi i raportit mbi gjendjen e burimeve njerëzore, ngarkesën në punë studimin mbi efektshmërinë e hetimit, efektet sociale në shoqëri dhe parandalimin e krimit. Koston reale të hetimit. Rregulla të qarta për formimin e grupeve hetimore. Bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Posaçme me qëllim koordinimin dhe shkëmbimin e informacionit por duke vepruar në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, por edhe me koordinimin e autoriteteve të huaja”, – thekson Çela.
“Çdo vit do ketë mbledhje të prokurorëve si një asamble për shkëmbim idesh dhe komunikimi të problemeve mbi hetimin dhe ndjekjet penale”, – tha ai.
“Ligji i ri i jep prokurorit mundësinë të jenë vetvetja dhe mos fshihen më pas Prokurorit të Përgjithshëm apo drejtuesit. Në këtë këndvështrim është thelbësore ruajtja e kësaj pavarësie që për sa kohë mbetet brenda kuadrit ligjor është e shëndetshme. Prokurorët për shkak të lirisë duke pasur edhe sensin e protagonistit nuk e menaxhojnë si duhet, kjo sjell pasoja, prandaj duhet që Prokurori i Përgjithshëm të monitorojë punën e prokurorive të shkallës së parë dhe apelit”, – theksoi Çelaj.
“Unë kam qenë 4 vjet drejtues i prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe jam marr edhe me menaxhimin dhe administrimin buxhetor. Unë në platformë e kam theksuar pjesën e kostos, por ajo që unë konstatoj është se duhet kryer një studim mbi atë që ndodh me Prokurorin e Përgjithshëm dhe se si administrohen të ardhurat dhe kapacitetet teknike dhe njerëzore”, – theksoi Çela.
“Do krijojmë grupe të pune me specialistë dhe besoj se kjo do të jetë mënyra e duhur për të arritur rezultate konkrete. Kështu do të jemi detantistë se si e programojmë punën e prokurorisë dhe se si menaxhojmë të ardhurat dhe burimet në funksion të kryerjes së hetimeve. Kështu do të bindim edhe ekzekutivin se kërkesat tona janë të vlefshme dhe të na mbështesim për atë që pret media, publiku, Kuvendi dhe qytetarët”, – theksoi Çela.
“Falë Reformës në Drejtësi, sot askush nuk mund të justifikohet sot se nuk mund të jetë i pavarur! Është përgjegjësi e Prokurorit të Përgjithshëm në qoftë se sot do t’i nënshtrohet presionin politik. Ne kaluam një proces të vështirë reforme dhe në fund Vetingu po i jep dinjitetin dhe garancinë dhe po vlen për çdo prokuror tjetër i Republikës”, – nënvizoi Çela. /j.p/























