TIRANË, 11 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Policia e Shkodrës falë bashkëpunimit me qytetarët ka parandaluar një krim në familje, teksa ka arrestuar dhe 1 person.
Sipas njoftimit të Policisë vendore Shkodër, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, falë reagimit të shpejtë u arrestua në flagrancë shtetasi R. Sh. 53 vjeç, banues në lagjen 10 Korriku, Shkodër. Ky shtetas në banesë ka ushtruar dhunë psikologjike dhe ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshorten. Policia pas njoftimit të marrë, menjëherë ka shkuar në banesën e 53 vjeçarit dhe ka bërë neutralizimin e arrestimin e tij në flagrancë”, njofton Policia.
“Në cilësinë e provës materiale ju sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Dhuna ne Familje””-, përfundon njoftimi i Policisë së Shkodrës. /j.p/












