TIRANË, 7 nëntor /ATSH/-Qeveria gjermane përmes GIZ po mbështet adaptimin dhe menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor.
Përmirësimi i sistemit të paralajmërimit të hershëm të përmbytjeve në basenin e lumit Drin është në fokus të një projekti që synon ngritjen e një sistemi efektiv për paralajmërimin e rrezikut ndaj përmbytjeve, duke u bërë kështu çelës i përballjes me fatkeqësi të tilla natyrore.
Projekti i përgjigjet parashikimit të ndryshimeve klimatike në rajon, me një fokus të veçantë tek përmbytjet dhe thatësira si dy dukuritë më ekstreme të këtyre ndryshimeve. Ai po realizohet në katër vende: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi, nisur nga faktet që ndikimi i ndryshimeve klimatike në këto vende është pothuajse i ngjashëm dhe që lumenjtë nuk kanë kufij kombëtarë, pasi basenet e tyre shtrihen jashtë kufijve të një vendi, p.sh baseni i lumenjve Drin dhe Buna shtrihen në pesë shtete: Mali i Zi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe një pjesë shumë e vogël në Greqi.
Prandaj, ajo që ndodh në një prej këtyre vendeve përsa i takon përmbytjeve apo thatësirave ndikon në atë që ndodh në tre vendet e tjera. Përmbytjet e mëdha që ndodhën në Shqipërinë Veriore në vitin 2010, numri i madh i popullsisë që u prek prej tyre identifikoi bashkëpunimin rajonal si domosdoshmëri jetike për shkëmbimin e informacionit në kohë reale mes vendeve të rajonit para se përmbytjet të ndodhin për t’u dhënë mundësi zonave të rrezikuara të evakuojnë popullsinë dhe shmangin dëmet e mëdha ekonomike . e.xh/j.p/


















