TIRANË, 7 nëntor/ATSH/- Reshjet e shiut që kanë rënë ditët e fundit në qarkun e Shkodrës nuk kanë shkaktuar probleme dhe të gjitha rrugët janë të hapura.
Kështu deklaroi sot Prefekti i qarkut të Shkodrës, Çesk Millja, në një konferencë për shtyp.
“Situata është normale ne kemi marrë të gjitha masat dhe po bashkërendojmë me të gjitha strukturat respektive për të menaxhuar situatën. Instituti i Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka komunikuar se reshje do të ketë, por janë reshje të stinës. Reshjet kanë qenë normale dhe nuk ka sjellë asnjë problem në qarkun e Shkodrës. Pas kësaj thatësire te gjatë shpresojmë dhe është në interes të gjithë qytetarët që pjesa e reshjeve të jetë në këtë standard”, – theksoi Millja.
Prefekti u shpreh se “në zonën e kaskadës së Drinit duke filluar nga Fierza, Komani dhe Vau i Dejës kanë filluar normalisht. Kemi inspektuar të gjithë punën normale që po vijon në këto HEC-e, po ti referohemi liqenit të Fierzës dhe lumit Drin dhe Buna kuotat janë në parametra”.
Lidhur me situatën në zonat malore, Prefekti Millja theksoi se ” gjatë këtyre ditëve reshjet kanë sjellë probleme në rrugën e Thethit dhe në rrugën e Dukagjinit në krahun e Kirit, por ne bashkëpunojmë me pushtetin vendor dhe kompanitë, të cilat merren me mirëmbajtjen e rrugëve. Janë marrë të gjitha masat dhe në raste kur ka pasur rrëshkitje të dherave po punojnë për të normalizuar situatën”.
Prefekti i qarkut të Shkodrës kërkoi nga të gjitha strukturat e pushtetit vendor dhe kompanive që merren me mirëmbajtjen e rrugëve dhe të kanaleve të kullimit të I dhe të II.
“Duhet të bëhen inspektime që gjithë puna që është bërë gjatë verës të shikohet drejtpërsëdrejti në terren, sepse mund të ketë pengesa të ndryshme të ujërave. Me qëllim që aty ku ka ndonjë defekt të monitorohet dhe të ulet rrisku i rrezikut të përmbytjeve”-, shtoi prefekti.
Ai tha se “nuk ka asnjë rrugë të bllokuar, dje kishte një në Theth, por ajo u hap brenda ditës së djeshme”.
/k.s/ /a.g/























