Ballina Ekonomi

I drejtohet bashkëqeverisjes, biznesmenit nga Tirana i rimbursohet TVSH-ja për 9 muaj

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/- Administratorit të një subjekti, Ervis Cena, iu rimbursua TVSH-ja, pas ankesës drejtuar në rubrikën e sipërmarrjes në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Cena, në investimin e ndërtuar konform të gjitha kushteve të kërkuara, kishte hasur vështirësi në rimbursimin e TVSH-së prej një periudhe prej 9 muajsh, duke rrezikuar aktivitetin e tij privat deri në falimentim.

Pas trajtimit të rastit nga koordinatori i biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, iu përgjigj kërkesës së subjektit për rimbursim të TVSH-së.

Në takim me koordinatorët e biznesit në Kryeministri, Cena tha se “jam shumë i lumtur se më keni ndihmuar shumë në zgjidhjen e këtij problemi. Falënderoj platformën që ma bëri shumë të thjeshtë këtë zgjidhje”.

Kryeministri Rama theksoi se “më vjen shumë mirë që çështja është zgjidhur dhe është një tjetër arsye për t’u drejtuar të gjithë sipërmarrësve se është koha ta shikojnë platformën si mikun më të fortë pranë qeverisë”

“Falënderoj ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, për një punë voluminozë dhe për një aktivitet intensiv në komunikimin me sipërmarrjen, sepse është jo e lehtë edhe për të shembur muret e paragjykimeve siç kanë qytetarët shpesh, pothuajse të gjithë. Madje kur vijnë thonë nuk e besoja, por thashë ta provoja se nuk kisha rrugë tjetër. Edhe bizneset kanë paragjykimet e tyre lidhur me ndërveprimin me qeverinë apo me siguri edhe me platformën”, – theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “dëshmitë tuaja na ndihmojnë shumë për të përcjellë edhe me raste konkrete faktin që platforma funksionon pa filtra, pa ryshfet, pa llafe dhe jam i bindur se është baza e një ardhmeje jo të largët kur i gjithë shteti do të jetë në xhep të çdo qytetari apo çdo sipërmarrësi që mjafton të lidhet përmes aplikacioneve përkatëse për të marrë zgjidhje, apo për të marrë shërbimet”.

“Aty do të jetë fundi i sigurtë i gjithë merimangave dhe rrjetit të vjetër të merimangave që kërkojnë ushqim për të dhënë atë që në fakt është e drejtë e gjithësecilit duke futur duart në xhepat e njerëzve”, – tha Rama./k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIshte vendosur sekuestro nga Hipoteka Durrës, Saimir Pistolja rimerr biznesin e tij
Artikulli tjetërFoto/Gramsh, zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë në fshatra