TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ – Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasanit ka publikuar raportin e veprimtarive gjatë muajit tetor 2019 ku sipas shifrave të bëra publike, janë proceduar penalisht 242 shtetas, për vepra të ndryshme penale, nga të cilët: 63 janë arrestuar, 5 janë ndaluar, 162 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 12 janë shpallur në kërkim.
Kontrollet nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kanë patur dhe kanë në fokus parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e paligjshmërisë si dhe kapjen e personave në kërkim.
Sa i përket sigurisë rrugore, Policia e Elbasanit ka arrestuar 37 drejtues mjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe 19 janë proceduar në gjendje të lirë.
“Si rezultat i këtyre kontrolleve të shtuara janë pezulluar 120 leje drejtimi dhe janë vendosur 3 720 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.
Policia e Elbasanit gjithashtu ka finalizuar me sukses edhe 3 operacione për goditjen e veprimtarisë së kundra ligjshme, gjatë të cilave u vunë në pranga 6 persona, 1 tjetër është shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë. /j.p/























