MV – Vetting në radhët e policisë nën shembullin e Shqipërisë

SHKUP, 1 nëntor /ATSH-MIA/ – Mbi 10 000 të punësuar në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë së Veriut do t’i nënshtrohen procesit të vettingut për rritjen e profesionalizmit të policisë.

Megjithatë, procesi ende nuk ka filluar, ligji për vettingun nuk është miratuar akoma, ndërsa sipas planeve të grupit të punës ky projektligj duhet të dorëzohet deri në prill.

Është formuar edhe një grup pune, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Brendshme, nga bashkëpunëtorë akademikë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, të OSBE-së, ambasadës amerikane, përfaqësuesve të delegacionit të BE-së dhe të ambasadës britanike.

 

”Shembulli më i afërt dhe më i freskët është procesi i vettingut në Shqipëri, përvojë kjo që, do ta përdorë edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut”, thotë kryetari i grupit të punës, dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski.

”Në Shqipëri ky proces filloi në vitin 2016 me vettingun në gjyqësor, ndërsa ligji për vettingun në polici u miratua vitin e kaluar kështu që procesi është ende në rrjedhë”, shton ai.

”Mendoj se kemi bërë punë shumë të mirë, kemi bërë një hap para nga një vend që nuk ka përvojë në raport me kontrollet jo vetëm në MPB, por edhe në përgjithësi në aparatin shtetëror nuk ekziston një përvojë e tillë. I kemi mbledhur përvojat më të mira edhe nga Shqipëria, por edhe nga Britania e Madhe dhe morëm disa njohuri të caktuara për zbatimin e vettingut në SHBA”, sqaron kryetari i grupit të punës, dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.