TIRANË, 30 tetor /ATSH/ – Prezenca e oSBE-së në Shqipëri ka paraqitur konceptin e platformës për rentat minerare, i cili do të hartohet së bashku me përfaqësuesit e bashkive të përzgjedhura për zbatimin e projektit pilot dhe institucioneve të tjera kyçe për t’i dhënë zgjidhje në një mënyrë më të qëndrueshme të gjitha çështjeve të lidhura me industrinë nxjerrëse.
Në bashkëpunim me Sekretariatin e Nismës për Transparencë në Industritë Nxjerrëse, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti sot diskutimin e katërt tematik ndërvendor rreth problematikave të lidhura me rentën minerare.
Takimi i zhvilluar në Bulqizë mblodhi së bashku drejtues të Bashkive të Bulqizës, Matit, Klosit and Peshkopisë, si dhe të institucioneve qendrore, sikurse Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të folur rreth temave të tilla si shpërndarja e barabartë e rentës, mirëadministrimi i të ardhurave, ndikimi mjedisor dhe përpjekjet për mbrojtjen e fëmijëve në zonat ku e zhvillojnë veprimtarinë e tyre industritë nxjerrëse.
/gj.mima/j.p/























