TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Tatimpaguesit që kanë detyrimin për të hapur llogari bankare kanë afat ta deklarojnë atë deri në datë 28 tetor, pranë administratës tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi mbi shtyrjen me 3 ditë të afatit. “Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore deri më datë 28 tetor. Afati shtyhet për në datë 28 tetor, pasi data 26 është ditë pushimi”, thuhet në njoftimin e DPT-së.
Subjektet të cilave u ka lindur detyrimi të hapin llogari bankare janë tatimpaguesit persona fizikë tregtarë aktivë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimpaguesit persona juridikë aktivë pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë, si dhe organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor.
Administrata Tatimore ju ka bërë me dije se këto të dhëna tatimpaguesit mund t’i dorëzojnë, duke i plotësuar në llogarinë e deklarimit elektronik në E-filing.
Tatimpaguesit e rinj janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në të njëjtën mënyrë në Administratën Tatimore.
Sipas DPT-së, përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore, vetëm personat fizikë tregtarë, aktualisht të regjistruar, të cilët nuk janë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.
Tatimpaguesit të cilët janë me status pasiv, nuk kanë detyrim ligjor për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore. Nëse në vijim tatimpaguesi kalon në statusin aktiv, atëherë duhet të hapë dhe deklarojë llogarinë bankare në Administratën Tatimore./a.gjonaj/ /a.g/























