FOTO/ Qendër e re shumëfunksionale pranë banesave për qytetarët e Patosit

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Shumë shpejt mijëra banorë të Sheqishtes dhe gjithë njësisë administrative Zharrëz do të kenë një Qendër Shëndetësore tërësisht të re, kopsht si dhe Qendër Multifunksionale fare pranë banesave të tyre.

Ndërtimi i këtyre ambienteve të reja në një godinë dykatëshe në Sheqishte, vjen në sajë të një donacioni nga Programi i Ndihmave Humanitare të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Europën, nëpërmjet Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Tiranë, në bashkëpunim me bashkinë Patos, e cila i ka drejtuar kësaj agjencie kohë më parë kërkesën për mbështetje financiare.

Kryetarja e bashkisë Rajmonda Balilaj, së bashku me inxhinierët e Komandës së Ushtrisë Amerikane dhe përfaqësuesin e Ambasadës, kanë inspektuar punimet për ndërtimin e kësaj godine, e cila pritet të përfundojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Falë këtij investimi banorët do të kenë më afër shërbimin parësor shëndetësor, kopshtin për fëmijët e tyre, dhe shërbime të tjera që do të mundësohen për zonën në Qendrën Multifunksionale. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.