Ballina Bota

SHBA – FB ndalon llogaritë e rreme ruse

UASHINGTON, 22 tetor /ATSH-DPA/ – Rrjeti social, Facebook zbuloi një seri përpjekjesh për të mbrojtur zgjedhjet e SHBA-së të vitit 2020, nga ndërhyrjet e huaja dhe deklaroi se ka ndaluar dhjetëra llogari të lidhura me Rusinë dhe Iranin në platformat e tij.

Njoftimi vjen pasi roli i Facebook-ut në zgjedhjet e vitit 2016, u hetua ashpër nga publiku dhe deputetët.

Facebook ka pranuar se Agjencia Kërkimore e Internetit (IRA), e mbështetur nga Rusia, ishte në gjendje të shfrytëzonte platformën për të arritur 126 milion amerikanë gjatë zgjedhjeve të mëparshme.

Facebook deklaroi se një fushatë ruse në platformën Instagram, kishte shenjat e një operacioni me burime të pasura dhe tregoi se kishte lidhje me Agjencinë Kërkimore ruse të Internetit.

Në përpjekje për të parandaluar atë çfarë ndodhi në zgjedhjet e fundit presidenciale, Facebook njoftoi mbi një program për siguri të shtuar në llogaritë e zyrtarëve dhe kandidatëve të zgjedhur.

Duke filluar nga muaji i ardhshëm, gjiganti i rrjeteve sociale do të fillojë të etiketojë disa medie si “të kontrolluara nga shteti”, për të ndihmuar përdoruesit të kuptojnë më mirë burimet e përmbajtjes së lajmeve.

Facebook njoftoi gjithashtu fshirjen e 93 llogarive në Facebook, 17 faqeve dhe katër llogarive në Instagram për sjellje të rreme, të koordinuara, me origjinë nga Irani kryesisht në shënjestër të SHBA-së./ / sara/ a.jor.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINË – Pekini kundërshton tarifat e reja doganore amerikane
Artikulli tjetërBasha: Rama dështoi të na afrojë me Europën