TOKIO, 22 tetor /ATSH-AA/ – Me një akt solemn së bashku me ceremonitë tradicionale, Naruhito u bë zyrtarisht perandori i 126-të i Japonisë.
Në kurorëzimin e perandorit të ri japonez Naruhito në Pallatin Imperial në Tokio morën pjesë afër 2 000 zyrtarë nga 190 vende dhe organizata ndërkombëtare.
“Premtoj se do të veproj në përputhje me Kushtetutën e Japonisë dhe detyrat e mia do t’i kryej si simbol i unitetit të Japonisë dhe popullit japonez”, theksoi Naruhito gjatë betimit.
Perandori i ri japonez Naruhito kishte veshur veshjen me ngjyrë kafe që monarkët veshin në Japoni që nga shekulli IX, ndërsa ai vizitoi disa tempuj pak para kurorëzimit të tij.
Me rastin e hyrjes së Naruhito-s në Takamikur, dhoma e kurorëzimit perandorak, qeveria japoneze si shenjë të vullnetit të mirë fali 550 mijë të burgosur.
Me rastin e kurorëzimit të ish-perandorit japonez Akihito, Qeveria e Japonisë në vitin 1989 fali 2,5 milionë të dënuar.
Perandori i ri japonez Naruhito lindi pas Luftës së Dytë Botërore dhe është princi i parë japonez që studioi jashtë vendit.
Ai studioi për transport detar në Universitetin e njohur të Oksfordit ndërsa gruaja e tij princesha Masako Owada studioi ekonomi në Universitetin prestigjioz të Harvardit.
Masako është vajza e Hisashi Owada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë./ /ec/ a.jor.






















