TIRANË, 22 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ SHBA kanë deklaruar disa zyrtarë të korruptuar shqiptarë dhe anëtarët e familjeve të tyre të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në SHBA.
Ambasada e SHBA në Tiranë me anë të një video të publikuar sot thekson se, “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë”.
Këtë javë, vijon Ambasada, “ne do të shpjegojmë përcaktimet publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të legjislacionit të Shteteve të Bashkuara. Kur Shtetet e Bashkuara mësojnë se një zyrtar qeveritar i huaj është përfshirë në korrupsion madhor, Sekretari i Shtetit ka autoritetin të shpallë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara”.
“SHBA kanë deklaruar disa zyrtarë të korruptuar shqiptarë dhe anëtarët e familjeve të tyre të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në SHBA. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, deputeti Tom Doshi, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, nuk do të marrin kurrë vizë për në SHBA”, shton Ambasada e SHBA.
“Çfarë është përcaktimi sipas 7301 (c)? E gjitha fillon me prova të besueshme për korrupsion. Zyrtar qeveritar i huaj i përfshirë në korrupsion. Sekretari i Shtetit ka autoritetin të përcaktojë individët dhe anëtarët e familjes së tij/saj të afërt si të skualifikuar përgjithmonë për të hyrë në SHBA”, shpjegon Ambasada.
“Si? 1. Të kërkuarit, pranuarit apo dhënien e parave, dhuratave apo përfitimeve të tjera personale në shkëmbim të favoreve të ofruara për shkak të postit. 2. Përvetësimin e fondeve publike. 3. Ndërhyrjen në procese gjyqësore, zgjedhore apo procese të tjera publike”, thekson Ambasada.
“Sipas 7301 (c) Sekretari i Shtetit mund ta përcaktojë individin dhe anëtarët e familjes së tij/saj në mënyrë publike ose private. Sekretari i Shtetit ka përcaktuar publikisht rreth 100 persona në mbarë botën, 14 prej të cilëve janë shqiptarë”, bën të ditur Ambasada.
“SHBA do t’iu hapin dyert zyrtarëve publikë me etikë, ndershmëri dhe përgjegjësi. Zyrtarët e tanishëm dhe të kaluar të korruptuar dhe anëtarët e familjeve të tyre rrezikojnë të humbin privilegjin për të hyrë në Shtetet e Bashkuara në të ardhmen”, thekson Ambasada e SHBA. /a.g/


















