ROMË, 21 tetor /ATSH/ – Për të zgjeruar ndikimet respektive në Ballkanin Perëndimor, Rusia, Kina dhe Turqia investojnë para’ dhe energji.
Emmanuel Macron, i cili synon të duket si një strateg largpamës, e çon Bashkimin Europian një hap prapa në kontributin për ta bërë atë pjesë të botës, që është shumë pranë nesh, të prirur drejt rrëshqitjeve, shkruan Maurizio Caprara i së përditshmes së njohur italiane ”Il Corriere della Sera”.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Europian, presidenti francez pengoi caktimin e një date për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Presidenti Macron u mbështet edhe nga Danimarka dhe Holanda, ndërsa qeveria italiane e Giuseppe Conte kundërshtoi shtyrjet e negociatave.
Disa mund të mendojnë: çfarë nevoje ka për të shtuar më shumë vagonë, ndërsa treni i komunitetit europian mund të humbasë atë të Britanisë së Madhe?
Nevoja për zgjerim ekziston. Bisedimet e pranimit zgjasin me vite. Fillimi i tyre nuk do të thotë futja e tyre në BE tani. Do të nënkuptonte nxitjen e tyre për të reformuar më tej sistemet politike, ligjore dhe ekonomike në drejtime të ndryshme sesa në të kaluarën, për të mbrojtur konkurrencën dhe për të zvogëluar oligarkitë dhe monopolet.
Në këmbim, do t’u ofronte shqiptarëve dhe maqedonasve të veriut – të qeverisur në shekullin e kaluar nga diktaturat – perspektiva inkurajuese dhe stabilizuese, perspektiva të integrimit në tregtinë e përbashkët të botës dhe në institucionet e saj politike.
Këtu është çështja: refuzimi për të hapur negociatat, është një barrë mbi shpatullat e atyre që nga brenda shtyjnë të dy vendet drejt BE-së. Është një ndihmë për ata që përpiqen t’i tërheqin ato në orbitat e Rusisë, Kinës dhe Turqisë.
Nxitësit e shtyrjeve të negociatave duhet të reflektojnë. Ndërmjet dredhimeve të Donald Trumpit, përpjekjeve për influencë të Vladimir Putinit dhe imperializmit ekonomik kinez, botës i duhet një Europë e aftë të jetë në pararojë.
Jo pasarelë për pushtetarët, të cilët duan të vendosin gjithçka në funksion të pëlqimit të tyre në sondazhin e radhës./ /os/ a.jor.






















