BRUKSEL, 18 tetor /ATSH-AFP/ – Marrëveshja e divorcit, arritur dje me kryeministrin britanik, Boris Johnson, i detyrohet shumë negociatorit europian, Michel Barnier dhe presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Boris Johnson i përshëndeti ata me mbërritjen e tij në Bruksel në samitin e parë dhe teorikisht të fundit europian.
“Dëshiroj t’iu falënderoj dhe falënderoj gjithashtu, Michel Barnier dhe ekipet e tij. Kjo është një marrëveshje shumë e mirë për BE-në dhe Britaninë e Madhe”, deklaroi ai duke përshëndetur mundësinë për t’u larguar nga Bashkimi Europian më 31 tetor, ashtu si kishte premtuar, pas 46 vitesh jetë të përbashkët mes Londrës dhe bllokut europian.
Jean-Claude Juncker e moderoi menjëherë këtë entuziazëm.
Ai kërkoi heshtje dhe rimori fjalën për të shprehur mendimin e tij.
”Jam i kënaqur që kemi një marrëveshje, por shumë i trishtuar që Britania e Madhe do të largohet nga BE”, theksoi ai.
“Nuk ka asgjë për t’u gëzuar për një divorc”, theksoi Michel Barnier para zyrtarëve të Partisë Popullore Europiane, familja e tij politike, që e përshëndetën.
“Marrëveshja ka qenë e vështirë për t’u arritur. Kam telefonuar dy herë Boris Johnson gjatë natës”, theksoi Jean-Claude Juncker.
Ekipet e Michel Barnier dhe Boris Johnson kanë punuar deri në orët e vona. Kemi fjetur pak, ashtu si dhe një natë më parë”, tregoi një prej tyre.
“Nuk jam përgjegjës për ratifikimin nga Parlamenti britanik. Kjo është punë e Boris”, theksoi Jean-Claude Juncker në përgjigje të shqetësimeve për votimin në Britaninë e Madhe.
– E ardhme e pasigurt –
Presidenti i Komisionit Europian vazhdon të kritikohet se ka dëgjuar kryeministrin e asaj kohe David Cameron, i cili i kishte kërkuar që të mos ndërhynte në debat para referendumit të vitit 2016, për të mohuar gënjeshtrat e Boris Johnson dhe të mbështetësve të tjerë të divorcit.
Kështu që këtë herë, ai nuk i përtypi fjalët e tij.
“Ne kemi një marrëveshje. Nuk do të ketë më shtyrje, për daljen e Britanisë së Madhe, kushdo qoftë vendimi i Parlamentit britanik”, theksoi ai.
“Boris Johnson me çdo mënyrë përjashtoi një shtyrje”, shtoi ai.
Michel Barnier, zakonisht shumë i kujdesshëm, ia ka lejuar vetes kritikat.
“Do të ishte mirë që një ditë kjo asamble të merrte përsipër përgjegjësitë e saj”, theksoi ai duke iu referuar Westminster.
“Boris Johnson theksoi për Jean-Claude Juncker se do të ishte në gjendje për të miratuar marrëveshjen e arritur sonte”, theksoi ai.
“Ne kemi besim në kapacitetin e tij për të arritur një maxhorancë parlamentare”, shtoi ai.
Përveç kënaqësisë që kanë bërë punën e tyre, për ruajtjen e unitetit të 27 vendeve dhe për të shmangur një shkëputje kaotike me Britaninë e Madhe, dy drejtuesit nuk duhet të përfitojnë asgjë nga kjo marrëveshje.
Duke vazhduar në funksionin e tij për shkak të vështirësive të hasura nga Ursula von der Leyen për të formuar ekipin e saj, Jean-Claude Juncker do të tërhiqet më 1 dhjetor, pak para 65-vjetorit. Shëndeti i tij është përkeqësuar këto muajt e fundit dhe të afërmit e tij ndjehen të shqetësuar.
Ai ka njoftuar disa herë qëllimin e tij për të shkruar kujtimet e tij dhe për të treguar për historinë e tij të dashurisë me Europën.
Michel Barnier nuk e di se çfarë i ka rezervuar e ardhmja.
PPE do të dëshironte që presidenti francez, Emmanuel Macron ta zgjidhte si kandidat për t’u bërë komisioner europian pas dështimit të Sylvie Goulard. Por, 68-vjeçari dhe zgjedhja e tij për t’i qëndruar besnik familjes së tij politike është një handikap.
Ursula von der Leyen, anëtare e PPE-së, mund t’i japë mandatin për të negociuar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Britaninë e Madhe./ /ec/ a.jor.






















