BRUKSEL, 16 tetor /ATSH-AFP/ – Diskutime maratonë rifilluan sot në Bruksel në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Londrën për Brexit, që negociatorët e kanë gjykuar të mundshme para samitit europian që do të zhvillohet nesër.
“Pas një raundi të gjatë negociatash që zgjatën deri në mesnatë, bisedimet rifilluan sot në mëngjes”, theksuan burime europiane.
“Nëse kjo zgjat, është shumë pozitive”, theksoi ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves le Drian.
Nga ana e Brukselit, toni ishte shumë i kujdesshëm mbi mundësitë e suksesit, britanikët ishin më pozitivë që prej fillimit të bisedimeve mbi planin e kryeministrit, Boris Johnson për të shmangur një “no deal”.
“Sot nuk priten përfundime”, theksoi një burim europian.
Sipas një zyrtari britanik, ekipet vazhdojnë të kenë progres dhe bisedimet janë konstruktive.
Bisedimet janë përqendruar në dy çështje të nxehta, mënyrën për të shmangur rikthimin e një kufiri mes Irlandës, anëtare e BE-së dhe Irlandës së Veriut, pjesë e Britanisë së Madhe duke vendosur kontrolle doganore dhe e drejta për kontroll akorduar autoriteteve irlandezo-veriore mbi marrëveshjen e divorcit, gjë që europianët nuk e pranojnë./ /ec/ a.jor.






















