TIRANË, 12 tetor/ATSH/Reforma në drejtësi si dhe programi i integruar 5-vjeçar për studentët e fakultetit të Drejtësisë që nis në këtë vit të ri akademik, ka rritur interesin e të rinjve për të studiuar legjislacionin.
Dekani i fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se “specifika e fillimit të studimeve në fakultetin e Drejtësisë në universitetin e Tiranës është që fillojmë me programin e integruar 5-vjeçar i cili në vetvete ka 640 kuota, nga këto e kemi pasur ritëm shumë të shpejtë të regjistrimin e studenteve në raundin e parë. Në raundin e parë na mbetën vetëm 20 kuota. Kjo për shkak se programi i ri ishte më tërheqës për ta, reforma në drejtësi në përgjithësi dhe vizibiliteti që ka kjo reformë i ka bërë më të interesuar kandidatët për studimet në universitet. Mesa duket orientimi në drejtësi është bërë më i fokusuar. Këtë e tregon edhe ritmi i ecurisë së regjistrimit, ne ishim një nga fakultetet që regjistroi më shumë studentë. Aktualisht, kanë mbetur për regjistrime 9 vende për raundin e tretë i cili ka filluar dhe që ka një hapësirë kohe që u lihet hapësirë studentëve për të ri-aplikuar në program sepse raundet ndahen nga njëri-tjetri dhe u japin mundësi studentëve që nuk janë regjistruar të aplikojnë atje ku kanë objektivin e tyre. Kështu që, ne jemi në përfundim të regjistrimit, mendoj se raundi i tretë do ta mbyllë shumë shpejt numrin e vogël që kanë mbetur pa regjistruar në ciklin e parë”.
Pas fakultetit të Drejtësisë i cili e nis këtë vit akademik me një program të integruar 5-vjeçar, vitin tjetër të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik që ofrojnë studime në drejtësi, do të ofrojnë një program të ngjashëm të integruar.
Dekani i fakultetit të Drejtësisë sqaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se programi i integruar është detyrim ligjor që vjen si pasojë e ligjit të ri për Arsimin e Lartë.
“Nuk është çështje vlerësimi, është çështje detyrimi ligjor i cili e ka ligji i ri i Arsimit të Lartë, në kuadër të reformës në sistemin e arsimit të lartë. Vlerësoj që studimet juridike të jenë studime të integruara 5 vjeçare, studime të plota dhe kjo i detyronte të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë t’i riformatonte programet e tyre të studimit në drejtësi. Ne arritëm t’a bëjmë. Kjo është edhe për institucionet e tjera, nuk është ekskluzivitet i Universitetit të Tiranës dhe ne besojmë që vitin tjetër do të na bashkohen të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik që ofrojnë studime në drejtësi me një program të integruar. Programi i integruar nuk do të thotë që është i njëjtë për të gjitha institucionet por në 70% të tyre duhet të kenë në bazë të përafërt, të kodifikuar me qëllim që studentët për shkak të lëvizshmërisë, mobilitetit të mos humbasin mundësitë sepse programi janë të ndryshme nga njëri universitet në tjetrin. Ne jemi të parët por jo se duhet të jemi të vet”, -theksoi Hoxha.
Dekani po ashtu, u bëri apel studentëve të fakulteteve të tjera që duan të ndjekin studimet e ciklit të dytë për drejtësi, të aplikojnë pasi janë në dispozicion 900 kuota.
“Sa i përket ciklit të dytë të studimeve, vazhdon programi i vjetër i cili u jep mundësi studentëve që kanë mbaruar programin bachelor të kenë mundësi që të ndjekin master shkencor e profesional. Ne jemi të fokusuar kryesisht tek studentët tanë por ne e kemi të hapur fakultetin edhe për studentë të institucioneve të tjera arsimore të larta, që mund të jenë publike ose jopublike. Aktualisht jemi në procesin e aplikimit dhe jo në atë të regjistrimit. Kemi rreth 900 kuota. Kemi mundësi që të marrin jo vetëm studentët tanë por edhe të fakulteteve të tjera, kështu që unë do t’i bëja thirrje edhe fakulteteve të tjera dhe që kanë interes të vazhdojnë studimet master për drejtësi, të mund të aplikojnë pasi mund të jenë fitues dhe të përfundojnë studimet pranë këtij fakulteti”, -përfundoi Hoxha. z.tosku/ /a.g/























