Ballina Flash

FOTO/ Drejt përfundimit punimet për rilindjen e lagjes historike të Vlorës

TIRANË, 10 tetor/ATSH/- Rilindja e qendrës historike të qytetit bregdetar të Vlorës është drejt përfundimit. Një diamant deri dje i mbuluar nga pluhuri i harresës, tashmë ditë pas dite po rifiton shkëlqimin e saj.

Punimet aktualisht janë përqendruar në fasadat e objekteve, të cilat i janë nënshtruar ndërhyrjeve restauruese.

Në rrugën muze është testuar ditët e fundit edhe sistemi i ndriçimit, i cili i ka dhënë ndërtesave një pamje magjepsëse. Punimet për realizmin e këtij projekti po punon një skuadër e madhe, si Fondi Amerikan i Zhvillimit, Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës,etj.

Kjo qendër do të jetë një atraksion i fuqishëm turistik, për qytetin e Vlorës, jo vetëm për detin, por edhe vlerat historike dhe kulturore të saj.

Projekti me investimet e qeverisë përfshin restaurimin e 68 banesave në zemër të Vlorës, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.

Në zonën qendrore të Vlorës ka një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, që e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.

Secili prej tyre paraqet fakte dhe histori interesante që mund të marrin interesin e vizitorëve të shumtë vendas e të huaj. Stili i përdorur në shumë godina krijon njëfarë uniformiteti në zonë, por që e dallon lehtësisht nga zonat e tjera të qytetit nga pikëpamja arkitektonike.

Brenda kufijve të zonës së projektit ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike, historike që mbart: rruga “Justin Godard” ./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKorçë/ Vijon pastrimi i përrenjve malorë, evitohen përmbytjet
Artikulli tjetërDokumentari i kineastes shqiptare Dea Gjinovci shfaqet në Paris