Ballina Aktualitet

Bushati: Integrimi i Shqipërisë, mision primar i mazhorancës

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati i ftuar në një studio televizive foli për procesin e hapjes së negociatave Shqipëri-BE, ndërsa u pyet edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Ai u shpreh besimplot se Këshilli i Europës në 18 tetor do të votojë pro hapjes së negociatave ndërsa theksoi se misioni primar i mazhorancës sot është integrimi i Shqipërisë në BE. “Integrimi i Shqipërisë është një mision primar i mazhorancës sepse është primare për shoqërinë shqiptare dhe ne kemi detyrë të dyfishtë që si mazhorancë dhe si forcë drejtuese politike në Shqipëri të kapim ritme më të shpejta drejt integrimit. Pas votimit të rezolutës së Bundestagut ishte një lajm historik. Vota në mazhorancë pro Shqipërisë patjetër që ishte shumë frymëzueses sepse politikisht sot dyert e Europës janë të hapura, nuk ka më pengesa politike”, – tha Bushati.

Deputeti shton se “probabiliteti për t’u hapur negociatat, sot është shumë më i madh sesa para votimin gjerman në Bundestag”.

Nga ana tjetër, duke folur për zgjedhjet në Kosovë dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, Bushati tha se: ”Marrëdhënia jonë me Kosovën vetëm mund të përmirësohet. Marrëdhëniet kanë qenë më shumë vëllazërore se sa shtetërore. Ne jemi një komb, një popull në dy shtete dhe gjithmonë më shumë jemi përafruar. Kjo hap horizonte të reja si në zhvillimet ekonomike ashtu dhe në ato sociale”.

Sa i përket zgjedhjeve të mbajtura ditën e diel, Bushati thotë se procesi ishte i qetë. “Më vjen mirë që procesi ishte i qetë, i pakontesutar, pati rezultate të qartë, megjithëse me diferenca të ngushta. Ata kanë një sistem me disa parti, që nuk kanë një maxhorancë të qartë. Shpresoj që gjithçka të shkojë mbarë sepse kjo i duhet Kosovës, pra stabiliteti dhe zhvillimi i instructive është shumë më i rëndësishëm se programet politike të një partie apo një kryeministri dhe kjo është një provë e dytë që duhet kaluar”, – nënvizoi Bushati.

Bushati gjithashtu shtoi se Kosova i ka dhënë një leksion jo vetëm Ballkanit por edhe Europës me këto zgjedhe, duke provuar se “sot ka pjekurinë për të marrë përsipër jo vetëm të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme por të jetë një partner i besueshëm sa i përket gjithë zhvillimeve në rajon politikisht dhe nga pikëpamja demokratike”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLozana në Zvicër, program gjuhe edhe në shqip
Artikulli tjetërAlbin Kurti, takim me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett