Qytetarit nga Durrësi iu cenua biznesi nga një kioskë e paligjshme, gjen zgjidhje pas ankesës në platformë

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Qytetarit Spiro Çakalli nga Durrësi iu cenua biznesi nga një kioskë e ngritur shumë pranë të tijës, në mënyrë të paligjshme, duke penguar zhvillimin e aktivitetit të tij.

Pas verifikimeve në terren, Policia Bashkiake Durrës konstatoi se kioska ishte e papajisur me dokumentacion ligjor dhe e delegoi rastin tek Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit, të cilët bënë të mundur largimin e objektit.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, ishte e pranishme bashkëshortja e Spiro Çakallit, e cila tha se “pasi u ankova për këtë rast në asnjë derë nuk më dhanë përgjigje që ta hiqnin kioskën. E mërzitur iu drejtova portalit të bashkëqeverisjes, këtu gjeta zgjidhje”.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se “vetëm një gabim bëni, portalin e lini në fund. Është mirë ta përdorni që në fillim, nuk ka asnjë vlerë që të humbisni kohë, nerva, energji dhe të mërziteni duke ardhur vërdallës sa në një derë, në derë tjetër. Që në momentin e parë që institucioni që duhet t’u japë përgjigje nuk ta jep përgjigjen, mos prit, por harxho dy ose tri minuta për të aplikuar dhe përcjellë ankesën tek ‘shqiperiaqeduam.al’ dhe si ju mund ta dëshmoni brenda 10 ditësh merr përgjigjen. Në raste kur kalohet 10-ditëshi për arsye të natyrës shkresore e burokratike, nëse në telefonatën e parë një nga koordinatorët thotë që ju keni të drejtë nuk ka diskutim që vjen zgjidhja”.

Kreu i qeverisë tha se “i bëj apel të gjithëve: mos kërkoni rrugë të shkurtra që nxjerrin gjatë, mos kërkoni miq, parti, absolutisht të zgjidhni problemin duke marrë të drejtën që ju takon, duke nxjerrë nga xhepi qoftë edhe 10 qindarka, por drejtohuni portalit. Është një klik që nuk kushton asgjë thjesht dhe vetëm vë në lëvizje qeverinë në dispozionin tënd si qytetar”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.