Ballina Bota

SUEDI – Bisedime bërthamore Uashington-Phenian

Negociatorë nga SHBA dhe Koreja e Veriut kanë mbërritur këtë fundjavë në Stokholm, për një raund të ri negociatash bërthamore, sipas medieve suedeze.

Ministria e Jashtme suedeze nuk ka konfirmuar paraprakisht takimin.

Megjithatë, është praktikë e zakonshme në Suedi të mos diskutohet publikisht për takimet diplomatike derisa ato të përfundojnë.

Lajmi nuk është konfirmuar as nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, raportoi se zyrtarët amerikanë dhe Koreja e Veriut do të zhvillojnë sot bisedime bërthamore në Suedi, pas një takimi paraprak të mbajtur një ditë më parë.

”Bisedimet po udhëhiqen nga i dërguari special i SHBA-së për Korenë e Veriut, Stephen Biegun dhe homologu i tij i Koresë së Veriut, Kim Myong Gil”, shtoi Yonhap.

Suedia luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve sepse mban lidhje zyrtare diplomatike me kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian.

Në muajin janar, në Suedi, u zhvillua një takim, në të cilin, diplomatët e Koresë së Veriut dhe të Jugut u takuan me të dërguarit e SHBA-së, para zhvillimit të një samiti të dytë midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Koreja e Veriut, konfirmoi këtë javë se kishte lëshuar nga një nëndetëse, një lloj të ri  rakete balistike, e njohur si ”Pukguksong-3”./ /sara/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReformimi i drejtësisë, në fokus edhe mbrojtja e dëshmitarëve
Artikulli tjetërSigurimi i banesave/ Flasin ekspertët: Procedura të thjeshta me përfitim për qytetarët, si do funksionojë