Lezhë, përkujtohet At Gjergj Fishta

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ – Presidenti i Republikës Ilir Meta mori sot pjesë në një koncert festiv në Lezhë të shoqatës “Kuvendi Folklorik Kombëtar” që u mbajt për nder të At Gjergj Fishtës në Lezhë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh: “Jam i lumtur që gjendem sot në qytetin e mrekullueshëm të Lezhës, në të cilin gjendet jo vetëm memoriali i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por dhe qarku ku ka lindur Homeri i letrave shqipe, At Gjergj Fishta. Dëshiroj të përgëzoj Shoqatën “Kuvendi Folklorik Kombëtar” që prej disa vitesh nderon kujtimin e At Gjergj Fishtës dhe sot organizon këtë koncert në nderim të veprës së tij”.

Presidenti vlerësoi lart figurën e At Gjergj Fishtës duke thënë se: “Kur flasim për At Gjergj Fishtën, kemi përballë një nga figurat më të shquara dhe më mbizotëruese të letërsisë shqipe për më shumë se gjysmë shekulli. Ai ishte poet, dramaturg, prozator, përkthyes por edhe kritik arti, historian i letërsisë dhe estet, duke u kurorëzuar me të drejtë si Poeti ynë Kombëtar. Ne i jemi mirënjohës At Gjergj Fishtës si për punën e palodhur, së bashku me Luigj Gurakuqin, për krijimin e gjuhës letrare kombëtare, ashtu edhe për atdhetarinë dhe entuziazmin e tij në mbështetje të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”.

Meta në këtë aktivitet vlerësoi edhe rapsodin popullor Gjon Frroku me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka dhënë një kontribut të madh në ruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të artit burimor shqiptar. Për të gjithë këtë kontribut të vyer në fushën e folklorit si dhe për punën e palodhur për ta përçuar trashëgiminë tonë jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit në skenat ndërkombëtare, sot kam nderin t’i dorëzoj titullin ‘Mjeshtër i Madh’”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.